Gjithnjë e më shumë njerëz po i përmbahen kësaj diete, e cila është e mirë vetëm nëse nuk kthehet në obsesion.
Humbje peshe, lëkurë rrezatuese dhe më shumë energji: këto janë përfitimet e premtuara të të ashtuquajturës dietë të pastër.
Bazat e kësaj lloj diete kanë të bëjnë me zgjedhjen e ushqimeve natyrale dhe të pasura me lëndë ushqyese, ndërsa është e nevojshme të shmangni ushqimet e përpunuara dhe të rafinuara.
Marrja e një qasjeje “të pastër” ndaj të ngrënit, mund të çojë në një mënyrë jetese të shëndetshme dhe menaxhim të duhur të peshës. Megjithatë, disa interpretime të të ngrënit të pastër mund të çojnë në pasoja të paparashikuara.
Çfarë do të thotë ushqim i pastër?
Ushqimi i pastër është një lëvizje që është bërë shpejt shumë e popullarizuar gjatë dekadës së fundit. Ndërsa shumë njerëz janë të përkushtuar ndaj ushqimit të pastër për t’u bërë më të shëndetshëm dhe për të humbur peshë, nuk ka një përkufizim të qartë të të ushqyerit të pastër.
Ndërsa termi ka të ngjarë që lindi me qëllime të mira, mungesa e qartësisë rreth tij e lë atë të hapur për interpretim, që mund të nënkuptojë se ky regjim mund të çojë në disa pasoja.
Për shembull, disa mund të zgjedhin një qasje më pak kufizuese dhe të ndjekin një model të pastër të të ngrënit të ngjashëm me ato të propozuara nga nutricionistët. Për shembull, mund të vendosni të hani më shumë fruta dhe perime të freskëta dhe të stinës, bishtajore, duke kufizuar ushqimet e përpunuara.
Megjithatë, të tjerat mund të jenë më kufizuese dhe të eliminojnë ushqime të tilla si qumështi, gluteni dhe sheqeri. Ata gjithashtu mund të kufizojnë numrin e përbërësve të ushqimit dhe të shmangin ushqimet e trajtuara me antibiotikë, pesticide dhe hormone të rritjes.
Përfitimet e mundshme të të ngrënit të pastër: çfarë thonë studimet?
Përqendrimi në një dietë të pastër mund të jetë i dobishëm sepse redukton natriumin, pijet me sheqer dhe ushqimet ultra të përpunuara, të gjitha këto që rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje kanceri.
Është e qartë se ngrënia e shumë frutave dhe perimeve të stinës së bashku me drithërat dhe proteinat e shëndetshme, është e mirë për shëndetin tuaj. Megjithatë, nuk ka studime shkencore që të lidhin ushqimin e pastër me përfitimet specifike shëndetësore. Ka një mori kërkimesh në literaturën shkencore që konfirmon se ndjekja e një diete të ekuilibruar, është e dobishme për shëndetin, por jo veçanërisht për ushqimin e pastër.
Për shembull, një studim i botuar në The BMJ zbuloi se ngrënia e 10 për qind më shumë ushqime ultra të përpunuara, rrit rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës, sëmundjeve cerebrovaskulare dhe sëmundjeve kardiovaskulare me të paktën 10 për qind.
Rreziqet e mundshme të të ngrënit të pastër: çfarë thonë studimet?
Ekzagjerimi me ushqimin e pastër mund të çojë në mangësi të rëndësishme ushqyese. Në fakt, nuk ka rekomandime të sakta dietike. Kjo mund t’i bëjë njerëzit të klasifikojnë ushqime të caktuara si “të këqija” dhe të tjera si “të mira” pa prova të forta për të mbështetur këtë etiketim.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Çrregullimeve të Ushqimit, ushqimi i pastër mund të rrisë rrezikun e ortoreksisë, ose obsesionit me ushqimin e shëndetshëm. E rëndësishmja, ekziston një ndryshim midis ortoreksisë dhe kufizimeve dietike. Ndërsa disa njerëz mund të shmangin disa ushqime për arsye etike, fetare ose të lidhura me shëndetin, ata me ortoreksi kanë mendime obsesive për zakonet e tyre të të ngrënit.
Për sa kohë që modeli i të ushqyerit të një personi përfshin ushqime nga të gjitha grupet ushqimore, nuk ka arsye për shqetësim. Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar është qasja më e mirë, pavarësisht nga modeli i të ushqyerit që ndjek një individ.
Kushtojini vëmendje të veçantë mungesës së proteinave dhe vitaminave B.
Kujdes ndaj shëndetit mendor
Obsesioni pas ushqimit të shëndetshëm ka pasoja edhe për shëndetin mendor, ndaj duhet të jeni vërtet të kujdesshëm. Ka mënyra për të vendosur një ekuilibër të shëndetshëm pa frikë apo kufizim. Për shembull, një dietë ushqyese mund të përfshijë artikuj të ngrirë dhe të konservuar. Megjithatë, kur zgjidhni ushqime të konservuara ose të ngrira, kontrolloni etiketën dhe shmangni ato me kripë dhe sheqer të shtuar. Të gjitha ushqimet e përpunuara nuk janë domosdoshmërisht të këqija dhe as nuk duhet të eleminohen plotësisht. Shumica e ushqimeve që shiten sot në dyqane, janë të përpunuara në një farë mase.
Rregullat që duhen ndjekur me ushqimin e pastër
Pra, për t’u siguruar që nuk e keni gabim, thjesht mbani mend këto rregulla të çmuara të zhvilluara nga nutricionistët:
– perime të të gjitha llojeve dhe ngjyrave
– fruta duke preferuar atë me lëvozhgë
– drithërat, nga të cilat të paktën gjysma janë drithëra integrale
– produktet e qumështit, pa e ekzagjeruar shumë
– ushqime proteinike, duke përfshirë mish pa dhjamë, shpendë, vezë, ushqim deti, arra, fara, produkte soje,
– fasule, bizele dhe thjerrëza
– vajra të tilla si vaj ulliri ekstra i virgjër
Udhëzimet sugjerojnë gjithashtu kufizimin e sheqernave të shtuara, yndyrave të ngopura, natriumit dhe pijeve alkoolike.