Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
WhatsApp
Email
Print

Fasting nga Jennifer Aniston tek Scarlett Johansson, dieta më e njohur e personazheve Vip, a funksionon?

Ka shumë yje që mbështeten tek argjërimi për të qëndruar në formë. Çfarë është dhe si funksionon (nëse funksionon) shpjegohet nga nutricionistët.

 

Fjala për ekspertin

Gjithnjë e më popullor dhe i praktikuar nga njerëz të famshëm në të gjithë botën, nga Scarlett Johansson (për të luajtur rolin e Black Widow në The Avengers) te Jennifer Aniston, por edhe Fiorello, prezantuesi Italian, fasting duket se është ilaçi i ri për ata që duan të humbin peshë shpejt. Por a funksionon vërtet? Si? Dhe rezultatet a janë afatgjata?

Kemi kërkuar mendimin e Anna Villarinit, nutricioniste dhe studiuese në Fondacionin IRCCS-Instituti Kombëtar i Kancerit. “Gjëja e parë që duhet sqaruar – shpjegon ajo – është se nuk është një dietë. Në fakt është një agjërim dhe ka lloje të ndryshme të tij. Deri më sot, bibliografia shkencore është ende e pakët, por nuk ka dyshim se popullariteti i agjërimit me ndërprerje po rritet në mënyrë eksponenciale: këtë e demonstrojnë efektet metabolike të studimit të agjërimit me ndërprerje, të kryer nga Annual Review of Nutrition, i cili gjeti fjalën “fasting” të cituar në më shumë se 200 mijë faqe në internet”.

Cilat janë llojet e ndryshme të fasting?

“Ka kryesisht tre kategori agjërimi me ndërprerje”, vijon Villarini. “Le të fillojmë nga e para: agjërimi në ditë alternative, pra një privim total i ushqimit për 24 orë duke alternuar me ditët e ushqyerjes normale dhe të ekuilibruar. Të vetmet substanca të lejuara gjatë 24 orëve janë lëngjet – pra çajrat bimor, çaji, uji – për sa kohë që nuk janë të sheqerosura. Më pas është një lloj i dytë agjërimi i cili konsiston në një kufizim shumë të fortë të kalorive për dy ditë jo të njëpasnjëshme në javë, gjatë të cilit konsumohen vetëm 20-25 për qind e nevojave të nevojshme për energji. Kategoria e fundit, dhe ndoshta më e famshmja, përfshin një periudhë specifike të agjërimit gjatë ditës. Shumë e quajnë 16/8: vaktet e lejuara grupohen në një periudhë prej 8 orësh gjatë ditës, ndërsa në 16 orët e mbetura (që shpesh përkojnë me natën) ngrënia nuk lejohet”.

A funksionojnë ato?

“Nga studimet e kryera në minj dhe gjitarë të tjerë, nga të cilët ka ende pak te njerëzit, është parë se agjërimi përmirëson profilet metabolike dhe ul rrezikun e obezitetit. Të dhënat tregojnë se çdo lloj abstenimi nga ushqimi në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar mund të sigurojë humbje peshe”. Sa kohë mund të vazhdohet agjërimi me ndërprerje? “Për kohëzgjatjen e intervalit të agjërimit, si dhe për shkallën e kufizimit të kalorive të nevojshme dhe për regjimin dietik që duhet të ndërmerret gjatë këtij trajtimi – shpjegon Villarini – nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Prandaj, për momentin nuk është e mundur të përcaktohen udhëzime të përgjithshme dhe efektive për të gjithë, studimet mbi njerëzit kanë zgjatur maksimumi me muaj”.

A ka ndonjë kundërindikacion?

“Regjimet e agjërimit me ndërprerje nuk duket të jenë të dëmshme fizikisht apo mendërisht te të rriturit e shëndetshëm. Por, për të vlerësuar saktë efektet afatgjata në trup, do të nevojiteshin studime në shkallë të gjerë të kryera tek të rriturit që i nënshtrohen agjërimit të ndërprerë për të paktën një vit”, shton Villarini.

Pasi përfundon periudha e agjërimit me ndërprerje, si reagon trupi?

“Mund të themi – përfundon Villarini – se këto janë regjime dietike që përfshijnë humbje të përkohshme në peshë. Nuk ka asnjë hulumtim ad hoc që demonstron efektivitetin e agjërimit të ndërprerë me kalimin e kohës, por ka studime vëzhguese që lidhen me forma të ndryshme të agjërimit fetar, si Ramazani, dhe shumica e tyre sugjerojnë se është humbje e përkohshme në peshë. Mund të jetë një stimul për të filluar humbjen e peshës dhe më pas për të vazhduar me një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Është e rëndësishme të sqaroni se nëse dëshironi të agjëroni, qoftë edhe me ndërprerje, duhet të jeni të ndjekur nga mjeku juaj. Ai do të vendosë nëse kushtet shëndetësore e lejojnë dhe kështu do të jetë në gjendje të ndërhyjë në rast të efekteve anësore të papritura”.

Lini nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *